ausgabe #87/88. lyrik. eli krasniqi.
,begalac‘*
po jetoj me frikën tande, që bjen lehtësisht si gjethe
e rrënon krahët e mi si ndërtesat në qytetin tand.
të shoh pezull n’ajër, humbjet tua e dashuritë peng në largësi
sa bukur e dashunon atë, e ndjek kilometrave larg e brof në kambë pas çdo tingëllime mesazhi,
e të kap frika e pritjes si për detonimin e radhës
si në shuplakë dore ta shoh ankthin e vdekjeve të tjera të mundshme.
e dij ku je, e dij.
ta dëgjoj frymëmarrjen tek përpiqesh me e ndi veten gjallë deri te thirrja tjetër.
zani i tyne të ban njeri, zani i tyne të përmend.
ti nuk kërkon asgja prej meje, por unë kërkoj me kujtu.
e po më çelen sytë kur më del frika si gonxhe drandofili,
në një bashçe të harrueme.
e po dhemb me ni kur ti flet për luftën e për njeriun e për qytetet.
të thashë, ma kujton veten ti, dhe vitin 1999
veçse unë atëherë rrija në një kamp, e pastaj në një qytet.
kisha një kartë identiteti, të gjelbër, një fotografi e përfundi shkruente ‚begalac’
dhe njësoj kisha dy zane që më përmendnin prej kllapisë së ilaçeve.
përpiqesha me marrë frymë në pauza kur kollitja nuk më ngacmonte.
nuk mbaj mend ngjarje, por ti ma nxjerr ndjenjën që e kisha fshehë
qosheve të qytetit tem, si motra jeme që strehohej në prishtinë, në vitin 1999.
ajo njësoj kishte kartë, të gjelbër, që e numëronte se po frymonte
në qytetin që ishim lindë e rritë.
njëherë kishte ble dredhëza. dredhza në kohë lufte, me to me përbi frikën.
tash në kohë paqeje, thom
kujtesa asht përvoja ma e afërt e të qenit njeri.
Eli Krasniqi
*begalac – refugjat (maqedonisht)