ausgabe #87/88. lyrik. eli krasniqi
shpia jem me rranjë
një shpi që rranjët thellë në tokë ka me i pasë
një të vockël, të ngrohtë e me shum dritë
me çati të kuqe, pa majë
mbrenda shpisë, jehona e bekimit të babës ka me u ni
e ka pasë shprehi në krye me na puthë e mandej
‘zotin e paç me vete‘ me na thanë
tana kujtimet me të, korniza në mur kam me i varë
kur të zgjohem në mëngjes në shpinë me rranjë
nanës kam me i marrë erë në qafë
çdo muej kam m’ia ngjyrosë flokët ngjyrë gështaje
çdo ditë nëpër kopsht kemi me ecë
e nën strehë të pemëve që ambël pikojnë
gjatë kemi me pushu
në shpi ai nuk ka me qenë
s’ka gja, bahem kinse parës ka qenë
grindjet e ambla se kush i pari kandin e shkrimit me zaptu
lojën me fëmijë, stinët në ballin e tij
idealet e mbetuna peng
tana në kujtime kam me i shndërru
në tavanin e shpisë teme me rranjë
kofera madhësish të ndryshme, paluet kanë me ndejtë
nuk kanë me u fërfëllu e zvarritë nëpër dynja
pluhuni qetësisht ka me i mbulu
e në kapakë kam me ua shkrujtë emnat e qyteteve
për të cilat malli nuk ka me më marrë
shpia jeme
stacione autobusësh afër nuk ka me pasë
as hekurudha gjarpnore, as aeroporte
veç tokën përfundi e qiellin përmbi
shpia asht ku asht nana
e rranjët aty kanë me mbi.